Hutbe

Agjëroni, “që të jeni të devotshëm”
Friday, 12 September 2008 03:17

 

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të jeni të devotshëm.” (El-Bekareh, 183)

Vëllezër të nderuar!



Të gjitha ibadetet në Islam kanë cakun dhe synimin e tyre, pa marrë parasysh a e kemi këtë të njohur apo jo. Sikur që Allahu i lartësuar asgjë nuk ka krijuar pa synim, po ashtu, Ai asgjë nuk ka caktuar pa synim. Çdo ibadet i caktuar në Islam ka së paku dy funksione: i pari është rregullimi i raportit tonë apo i borxhit ndaj Allahut të lartësuar, kursi i dyti është avancimi apo përmirësimi i raporteve tona reciproke. Natyrisht, për Allahun e lartësuar nuk është i nevojshëm ibadeti jonë – ibadeti është i nevojshëm përjashtimisht për vetë neve.

Na është e njohur se disa ibadete në Islam nuk mund të kryhen të pavarura, por përjashtimisht së bashku, me xhemat, sikur është falja e namazit të xhumasë apo të bajramit. Me kryerjen e këtyre ibadeteve muslimanët, krahas rregullimit të borxhit personal ndaj Zotit xh. sh., forcojnë lidhjet e tyre vëllazërore, e forcojnë dashurinë reciproke dhe e manifestojnë përbashkësinë e nevojshme në fe dhe jetë.

Ai, i Madhërishmi, ka krijuar jetën dhe vdekjen dhe na i ka caktuar ibadetet në mënyrë që të na sprovojë kush prej nesh do të jetë më i mirë. Një nga ibadetet bazore i cili na bënë më të mirë në çdo pikëpamje është agjërimi.

Caku apo synimi i ibadetit të agjërimit është shënuar në ajetin në të cilin agjërimi përcaktohet si detyrim i obligueshëm. Kurse ky synim është:  që të mund të jeni të devotshëm.

Mufesiri dhe shehidi i njohur Sejjid Kutb kur e komenton këtë ajet në tefsirin e tij, thotë:

“Në këtë mënyrë tregohet caku i madh i agjërimit. Kjo është devotshmëri. Devotshmëria e cila zgjohet në zemrat e njerëzve deri sa e kryejnë këtë detyrë, duke iu bindur Allahut me dëshirë që ta sendërtojnë kënaqësinë e Tij. Devotshmëria i ruan zemrat e njerëzve që mos ta prishin agjërimin as me përqeshje në mendime. Ata të cilëve iu drejtohet Kur’ani e dinë çka do të thotë devotshmëri tek Allahu, e dinë peshën e devotshmërisë. Devotshmëria është synim drejt të cilës synojnë shpirtrat e besimtarëve. Ky agjërim është pikërisht edhe rruga e cila shpie në devotshmëri. Teksti i Kur’anit e ngre domethënien e devotshmërisë para syve të besimtarëve, tregon në cakun dhe dritën deri te e cila arrin njeriu nëpërmjet agjërimit.” (Fi dhilal’il-Kur’an, I).

Vetë fjala arabe për agjërimin – sawm – në vete bartë dy kuptime: kuptimin e të përmbajturit dhe kuptimin e heqjes dorë. Kuptimi i të përmbajturit manifestohet në atë që njeriu gjatë agjërimit heq dorë nga ushqimi, pijet, marrëdhëniet intime dhe kënaqësitë e tjera pas të cilave mallëngjen shpirti njerëzor. Kurse kuptimi i heqjes dorë manifestohet në atë që gjatë agjërimit heqim dorë nga mendimet, shikimet, të folurit dhe veprat e tjera të këqija të cilat na prishin pastërtinë e agjërimit tonë. Mos të mendojmë se agjërimi përbëhet vetëm prej abstenimit nga ushqimi, pija dhe kënaqësitë intime, sepse agjërimi i plotë nënkupton përmbajtjen dhe heqjen dorë të të gjitha organeve trupore nga ajo që është e keqe dhe e gabueshme.

Prandaj, agjërimi është mjeti më i mirë ta ngadhënjejmë vetveten, t’i kontrollojmë epshet tona, kurse kjo është diç e madhe. Moti është thënë se trimi më i madh është ai i cili e ngadhënjen vetveten. Muhammedi a.s. ka thënë se lufta në ngadhënjimin e vetvetes është shumë më e rëndë se sa beteja në luftë kundër armiqve. Më e rënda është të ngadhënjehet vetja dhe të qortohen epshet vetjake.

Për këtë agjërimi i ramazanit është shkollë unike e riparimit dhe ripërtëritjes së cilësive morale, me të cilën mësohemi si të sprapsen dhe të mposhten epshet vetjake, e edhe ato të cilat përndryshe janë të lejuara. Pikërisht këtu fshihet urtësia e madhe e dispozitave të fesë: Ai i cili është në gjendje ta braktisë atë që e ka hallall ose të lejuar, ai atëherë do të jetë më i fortë dhe më i gatshëm ta braktis atë që e ka haram apo të ndaluar.

Dijetari i njohur Reshid Rida (Tefsiru'l-menar, II, 145) kur i komenton fjalët le'al-lekum tettek?n / që të mund të jeni të devotshëm, thotë se pikërisht nga këto fjalë e mësojmë shkakun e përcaktimit të agjërimit dhe shpjegimin e dobisë së tij më të madhe dhe urtësisë më të lartë. Me fjalë të tjera, agjërimi e përgatit agjëruesin për devotshmëri ndaj Allahut xh. sh., ashtu që agjëruesi i braktis epshet e tij të lejuara dhe natyrore duke iu bindur urdhrit të Allahut të lartësuar dhe duke e shpresuar shpërblimin e Tij. Me këtë ai e edukon veten t’i braktis edhe gjerat e ndaluara dhe të bëhet i durueshëm në mosbërjen e tyre. Së këndejmi Pejgamberi i Allahut a.s. ka thënë:


“Agjërimi është gjysma e durimit”. (Ibn Maxheh, Sunen, I, 555).

Forma fillestare e ajetit mbi agjërimin: O besimtarë!, sugjeron se ajo që do të pasojë i është dërguar besimtarëve të cilët e shpresojnë shpërblimin e Allahut dhe të cilët i frikësohen dënimit të Tij. Po ashtu kjo formë e komunikimit tregon në atë se thirrja iu është drejtuar atyre të cilët dëshirojnë t’i afrohen Krijuesit të tyre dhe të cilët e duan Atë, dhe se Allahu i madhërishëm deshi t’i shquaj me diçka që është e afërt apo e ngjashme me ata të cilët janë më të afërt me Të, e këta janë melekët, të cilët nuk pinë, nuk hanë dhe gjithnjë janë të nënshtruar ndaj Tij, dhe që, njëkohësisht, t’i ndajë nga ata që nuk besojnë në Ahiret, nuk shpresojnë në takimin me Të dhe nuk i frikësohen dënimit të Tij. Gjendjen e të tillëve I Madhërishmi e ka krahasuar me gjendjen e kafshëve:

“... Ndërsa ata që nuk besojnë dhe kënaqen e hanë ashtu siç gëlltisin bagëtia, do të kenë Zjarrin si vendbanim!” (Muhammed, 12),

deri sa besimtarëve iu ka porositur:

“O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt ...”. (El-Enfal, 29)

Imam Gazaliu në librin e tij të madh Ihja sekretin e agjërimit e shpjegon në mënyrën vijuese:

'' ... Caku i agjërimit është zbukurimi i një prej cilësive të Allahut të madhërishëm, d.m.th., cilësisë së samed-ijetit (vetëmjaftueshmërisë) dhe pasimit të melekëve në sprapsjen e epsheve, sa është kjo e mundur, sepse melekët janë të pagabueshëm. Njeriu gjendet në shkallën mbi kafshët sepse e posedon cilësinë e arsyes e cila e ndriçon rrugën e thyerjes së epsheve, kurse në shkallën nën engjëjt, sepse epshet e përfshijnë, dhe ai lufton kundër tyre. Sa herë që personi përmbytet, iu bindet epsheve, bie në botën e qenieve më të ulëta dhe i afrohet pozitës së kafshëve. Por, sa herë që i mposhtë epshet, ngrehet në botë më të lartë, në botën e 'ilijj?n-ëve, shkalla e melekëve. Melekët janë afër Allahut xh. sh., dhe kush i ndjek dhe dekorohet me cilësitë e tyre, do të jetë afër Zotit të dashur, sikur melekët.” (Ihja' 'ulumi'd-din, II, 99-100).

Krahas cakut të vet parësor, devotshmërisë, të cilën gjithnjë dhe para së gjithash duhet ta kemi në mendje, agjërimi i ramazanit ka edhe caqet e veta të tjera, për shembull social dhe shëndetësor, por edhe dobi të tjera fizike dhe psikike, për çka gjerësisht do të mund të flitej. Këtu shkurtimisht do të hedhim vështrim vetëm në pikëpamjen sociale dhe shëndetësore të agjërimit.

Me agjërim njeriu më së miri e njeh fatkeqësinë e cila e godit të varfrin në aspekt të urisë dhe mospasjes dhe se kjo njohje ia nxit ndjenjën e solidaritetit dhe mëshirës ndaj të varfërve. “Agjërimi e përkujton njeriun në stomakët e uritur të të varfërve”, thotë një dijetar muysliman. Po ashtu, me agjërim njihet madhështia e barazisë islame, sepse edhe varfanjaku dhe pasaniku, edhe i arsimuari edhe analfabeti, i bardhi dhe i ziu, agjërojnë në një muaj dhe bëjnë iftar në një kohë. Pra, agjërimi në mënyrë figurative na përkujton në barazinë e njerëzve para Allahut të madhëruar dhe te ne nxit ndjenjën e humanitetit më të madh të cilin vetëm feja mund të ta dhurojë. Për këtë arsye në disa hadithe muaji i ramazanit është quajtur “muaj të solidaritetit me të tjerët.”

Sot është e njohur për çdokënd se agjërimi ndikon pozitivisht në shëndetin e njeriut. Rezultatet e ekspertëve mjekësor këtë edhe e konfirmojnë. Neve muslimanëve me këtë na ka mësuar mësuesi më i madh i njerëzimit, Pejgamberi ynë a.s., i cili ka thënë: “Agjëroni, do të jeni të shëndoshë.'' (Taberaniu, Ewsat, VIII, 174)

Së këndejmi, agjërimi jo vetëm që na i bën të shëndoshë shpirtrat tonë por edhe trupat tonë. Imami i njohur Ibn Kajjimi kështu e shpjegon ndikimin e agjërimit në shëndetin njerëzor.

''Agjërimi në mënyrë të shkëlqyeshme ndikon në ruajtjen e trupave dhe forcat e brendshme. Agjërimi mbron nga çoroditja të cilat i shkaktojnë materiet e dëmshme, të cilat në rast se do të dominonin në organizëm do të ndikojnë dëmshëm në organizëm. Ai ndihmon në largimin e materieve të këqija të cilat e dëmtojnë shëndetin. Agjërimi e ruan shëndetin e zemrës dhe të trupave të tjerë duke ia kthyer atë që ia ka marrë lakmia. Kjo është mënyra më e mirë që të jenë të devotshëm.” (Zadu'l-me'ad, II, 29).

Është mirë të dihen këto dhe pikëpamje të tjera të agjërimit, por urtësia dhe vlera më e madhe e agjërimit, para dhe pas të gjithave, është se agjërimi na bënë të devotshëm dhe për këtë shkak agjërojmë. Kurrë mos të harrojmë se agjërimi është njëri prej bazave të ibadetit dhe çelësi për veprat të cilat na afrojnë te Krijuesi ynë.

O Allahu i Gjithëfuqishëm, na afro në gjirin e mirësisë dhe mëshirës Sate të jashtëzakonshme në ditët e agjërimit të muajit të bekuar të ramazanit!

Shkroi: Dr. Almir Fatiq

përktheu Nexhat IBRAHIMI

Radio-Islame.Net.TC

 


 
    LIVE NË RADION ISLAME

Cdo të Hëne nga ora 21:00

Emisioni ,, Zëri i Urtësisë ''    
Udhëheqës: Qenan Ismaili   
Emisioni është kontaktues   
Tel.: + 389 23 111 874 ose   
E-mail: zeri_i_urtesise@yahoo.com
 
 

 

Statistikat

Free Hit Counter

Search site

Powered by Dj~CrackMan copyright 2008.